Zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit në Kosovë janë zhvilluar në mënyrë “të qetë” dhe “profesionale”, thuhet në raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, por janë përmendur vjedhjet e votave të kandidatëve për deputetë brenda të njëjtit subjekt politik si dhe është kërkuar depolitizimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në raport theksohet se procesi ishte “teknikisht i përgatitur mirë pavarësisht afateve të shkurtra dhe në përgjithësi u konsiderua gjithëpërfshirës”. “Zhvillimet pozitive përfshinin një ton më të butë fushate, mungesën e ankesave zyrtare në lidhje me gjuhën e urrejtjes dhe incidente serioze”, theksohet aty.

Si çështja më kritike që doli nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, në raport përmendet “manipulimi në shkallë të gjerë i votave preferenciale gjatë procesit të numërimit”.

“Kjo, sipas raportimeve, u krye ose përmes një marrëveshjeje të heshtur, ose të paktën përmes veprimeve të koordinuara ndërmjet përfaqësuesve të të gjitha partive kryesore në nivel lokal”, theksohet aty.

Ndonëse parregullësitë ishin në disa komuna, në raport theksohet se ato “minojnë besueshmërinë e administratës zgjedhore dhe dëmtojnë besimin e publikut në procesin zgjedhor”.

Pas konstatimit të manipulimit të votave të kandidatëve për deputetë, Prokuroritë në disa komuna të Kosovës, si në Prizren, Gjakovë, Malishevë etj, filluan ndërmarrjen e masave duke arrestuar personat e dyshuar për këto vjedhje të votave dhe u nisën procese gjyqësore ndaj tyre.

Në këtë drejtim, Asambleja u ka bërë “thirrje autoriteteve që të përfundojnë hetimet në vijim, të sqarojnë plotësisht rrethanat dhe të identifikojnë përgjegjësit”.

“Ajo u bën thirrje të fuqishme autoriteteve të Kosovës që të ndërmarrin veprime vendimtare kundër këtyre praktikave, pasi ato cenojnë në thelb integritetin e zgjedhjeve demokratike dhe shprehjen e lirë të vullnetit të votuesve”.

Aty përmendet edhe moscertifikimi i Listës Serbe nga KQZ-ja, vendim që më pas u rrëzua nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykata Supreme. Tek kjo pikë, në raport thuhet se “kjo ngriti shqetësime në lidhje me paanshmërinë dhe drejtësinë e autoriteteve zgjedhore, veçanërisht në lidhje me të drejtat e komuniteteve jo-shumicë”.

Në këtë kontekst, te pjesa e rekomandimeve, delegacioni i Asamblesë ka kërkuar nga institucionet kosovare që për të forcuar edhe më tej integritetin zgjedhor duhet “sigurimin e depolitizimit të plotë të KQZ-së, në mënyrë që organet menaxhuese të zgjedhjeve jo vetëm të veprojnë në mënyrë të paanshme, por edhe të perceptohen si të tilla”.

Ndër të tjera, ka kërkuar edhe rishikimin e modaliteteve të votimit jashtë vendit “për të garantuar barazinë e votës dhe integritetin zgjedhor si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij”.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, fituese doli Lëvizja Vetëvendosje me 67 deputetë apo mbi 51 për qind, e dyta u rendit Partia Demokratike e Kosovës me 22 deputetë, e treta Lidhja Demokratike e Kosovës me 15 deputetë dhe e katërta Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 6 deputetë.

20 deputetë i morën komunitetet jo shumicë, prej të cilave 10 serbët dhe 10 të tjerat komunitetet jo shumicë jo serb.