Numërimi i votave për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit është duke shkuar drejt fundit. Deri më tani, sipas rezultateve të përmbledhura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, janë numëruar 95.72 për qind e votave.
Lëvizja Vetëvendosje renditet e para me 50.5 për qind, apo 461 mijë e 698 vota – rezultati më i mirë në histori për një subjekt politik.
E dyta është Partia Demokratike e Kosovës me 20.49 për qind, apo 187 mijë e 328 vota. E treta është Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.37 për qind, apo 122 mijë e 254 vota.
E katërta parti shqiptare që ka siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Kjo parti ka marrë deri më tani 5.55 për qind, apo 50 mijë e 776 vota.
Aktualisht janë duke u numëruar votat me postë. Në këtë lloj të votimit, janë numëruar 72.83 për qind e votave, prej të cilave, VV-ja ka marrë 72.56 për qind, apo 13 mijë e 917 vota.
Pas saj, renditet LDK-ja me 10.62 për qind të votave, apo 2 mijë e 36 vota. E treta është PDK-ja me 8.19 për qind, apo 1 mijë e 571 vota. E katërta është AAK-ja me 4.73 për qind, apo 908 vota.
Numërimi nuk ka filluar ende për votat me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.
Sa i përket kandidatëve për deputetë, pesë më të votuar në listën e VV-së janë: Albin Kurti me 380 mijë e 730 vota, Glauk Konjufca me 298 mijë e 202, Albulena Haxhiu me 160 mijë e 834, Hekuran Murati me 158 mijë e 962 dhe Donika Gërvalla me 142 mijë e 612.
Tek PDK-ja, Bedri Hamza ka 157 mijë e 520 vota, i dyti është Arian Tahiri me 69 mijë e 421, i treti Përparim Gruda me 63 mijë e 826, i katërti Uran Ismaili me 54 mijë e 884 dhe e pesta Sala Jashari me 46 mijë e 271.
Lumir Abdixhiku i prin listës së LDK-së me 85 mijë e 650 vota, pas tij renditet Hykmete Bajrami me 54 mijë e 859. I treti është Ukë Rugova me 47 mijë e 595, i katërti Avdullah Hoti me 42 mijë e 795 dhe e pesta Doarsa Kica-Xhelili me 42 mijë e 381 vota.









