Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është subjekti i vetëm politik që ende nuk e ka publikuar listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit.
Të martën, në ora 24:00, përfundoi afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë.
Partitë e tjera shqiptare – Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – i publikuan listat në orët e mbrëmjes të së martës, ndërsa PDK-ja ende.
E para parti që publikoi listën ishte AAK-ja. Bartës i listës është Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, i cili është i nominuar nga partia si kandidat për Kryeministër. Befasia më e madhe e kësaj liste ishte renditja e Kryetarit në largim të AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai, për herë të parë, do ta ketë numrin 11.
Në top 10-she të AAK-së përvec Gjinit janë Besnik Tahiri, Time Kadrijaj, Bekë Berisha, Arbër Tolaj, Albana Bytyqi, Burim Ramadani, Diellza Kukaj dhe Agim Çeku.

Pas AAK-së, listën e publikoi LDK-ja. Bartëse e listës është ish-Presidentja Vjosa Osmani, pas saj Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i nominuar si kandidat për Kryeministër.
Në top 10-she pos këtyre dyve janë edhe Kujtim Shala, Doarsa Kica-Xhelili, Lutfi Haziri, Jehona Lushaku-Sadriu, Albena Reshitaj, Ukë Rugova, Jeta Statovci dhe Anton Quni.
Befasia më e madhe ishte renditja e dy prej figurave kyçe të LDK-së, të cilët kanë qenë ndër opozitarët më të zëshëm: Avdullah Hotit dhe Hykmete Bajramit. I pari e ka numrin 11, ndërsa e dyta numrin 12.

Në orët e mesnatës, listën e publikoi edhe VV-ja. Bartës i kësaj liste është Albin Kurti, pas tij Glauk Konjufa.
10-shen e përmbyllin Donika Gërvalla, Avni Dehari, Albulena Haxhiu, Hekuran Murati, Xhelal Sveçla, Mimoza Kusari-Lila, Hajrulla Çeku dhe Shqipe Mehmeti-Selimi.
Në listën e VV-së është përsëri edhe Fatos Geci, ai i cili nga Kuvendi i Kosovës u dëshiroi burgim të përjetshëm për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen nga Gjykata Speciale. VV-ja ishte distancuar nga deklarata e tij, por përsëri e kanë bërë pjesë të listës. Ai mban numrin 96.










