Prokuroria Themelore e Ferizajt ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet M.A, i cili dyshohet se për zgjedhjet e 28 dhjetorit ka kryer veprën penale “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”.
Sipas aktakuzës, më 28 dhjetor 2025, në një qendër të votimit në qytetin e Shtimes “i pandehuri ka dëmtuar dokumentet e votimit lidhur me zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës”.
“Me këto veprime janë përmbushur elementet e veprës penale për të cilën është ngritur aktakuza pranë Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda”, thuhet në njoftim të Prokurorisë.
Prokurori i Shtetit ka njoftuar opinionin publik se të gjitha rastet eventuale që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor të 28 dhjetorit, “do të trajtohen me prioritet dhe në përputhje të plotë me ligjin, me qëllim të mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit”.









