Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja kanë arritur marrëveshje për krijimin e listës së përbashkët “Koalicioni Shqiptar” për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 25 tetor në Serbi.

Kurti ka njoftuar se marrëveshja është arritur sot në Zyrën e Kryeministrit, pas bisedimeve dhe përpjekjeve për afrimin e qëndrimeve ndërmjet subjekteve politike shqiptare të Luginës së Preshevës.

“Serbët në Kosovë i kanë të garantuara 10 nga 120 ulëset në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e me këtë qasje, shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do të duhej të kishin së paku 5 vende të garantuara në Parlamentin e Serbisë, i cili numëron 250 ulëse”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij, çështjet e të drejtave dhe identitetit mbeten pjesë e rëndësishme e angazhimit për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Ai ka përmendur pasivizimin e adresave, përfaqësimin në institucionet publike, zhvillimin ekonomik, si dhe ruajtjen e gjuhës, kulturës, simboleve dhe kujtesës.

Kurti ka thënë se, pavarësisht vështirësive dhe ndasive të mëparshme, përgjegjësia e përbashkët mund të shndërrohet në punë në shërbim të qytetarëve.