Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, u ka bërë thirrje shqiptarëve që jetojnë në Serbi që të dalin masivisht në zgjedhjet e së dielës atje dhe të votojnë për koalicionin e partive shqiptare.

“Ju ftoj që nesër, më 25 tetor, të merrni pjesë sa më masivisht në zgjedhjet parlamentare të parakohshme. Shfrytëzojeni të drejtën tuaj demokratike të votës për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

“Bashkimi është çelësi i përfaqësimit më të fuqishëm politik. Prandaj, bashkë në listë dhe bashkë në votim. Për më shumë deputetë shqiptarë në Parlamentin e Serbisë.  Për një zë më të fuqishëm në mbrojtje të të drejtave, dinjitetit dhe interesave të shqiptarëve”, shtoi ajo.

Shiroka-Pula tha se çdo votë ka rëndësi. “Pjesëmarrja juaj është kontribut i drejtpërdrejtë për përfaqësimin politik dhe për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”.

“Të bashkuar në përfaqësim, më të fuqishëm në mbrojtjen e të drejtave tuaja!”.

Partitë shqiptare në Luginë të Preshevës arritën që të krijojnë një listë të përbashkët për zgjedhjet e së dielës në Serbi pas një kohe të gjatë përplasjesh mes vete.

Zyrtarizmi i marrëveshjes u bë nga zyra e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.