Në ora 19:00, janë mbyllur të gjitha qendrat e votimit në Maqedoninë e Veriut për zgjedhjet lokale – të tetat me radhë.

Procesi në përgjithësi ka shkuar mirë, pa ndonjë incident domethënës.

Tanimë ka nisur edhe numërimi i votave dhe së shpejti priten edhe rezultatet e para.

Pas mbylljes së qendrave të votimit, nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, i ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen dhe ka thënë se AKI i konsideron zgjedhjet të lira.

“I bëjmë thirrje drejtë çdo komisioneri, çdo vëzhguesi dhe çdo institucioni përgjegjës që të ruaj standardet më të larta evropiane në mënyrë që rezultati përfundimtarë të pasqyrojë vullnetin e vërtetë të qytetarëve. Besëlidhja AKI, i konsideron këto zgjedhje të lira, fer dhe demokratike me disa vërejtje që do të evidentohen me përgjegjësi institucionale në ditët të vijim”, tha Ademi.

Nga ana tjetër, koalicioni VLEN thanë se presin fitore që në raundin e parë në Çair, Tetovë, Saraj, Bogovinë, Zhelinë dhe Tearcë.

“Presim fitore pothuajse në secilën komunë. Jemi optimistë se në disa prej komunave se gara do të mbyllet që në rrethin e parë. Kjo vlen për komunën e Çairit, jemi afër fitores edhe në komunën e Tetovës në raundin e parë, gjithashtu të njëjtën e presim në komunën e Sarajit, në komunën e Bogovinës, Zhelinës dhe Tearcës”, thanë nga VLEN në një konferencë për media.