Ndonëse ende nuk ka filluar publikimi zyrtar i rezultateve, kandidati i koalicionit VLEN për Kryetar të Çairit, Izet Mexhiti, e ka shpallur fitoren në këtë komunë kundrejt kundërkandidatit të tij nga radhët e Aleancës Kombëtare për Integrim, Bujar Osmani.
“Në Çair fituan të gjithë shqiptarët dhe u pensionua një klasë politike shqiptare. Sot me zemrën plot krenari e mirënjohje, dua të them me zë të qartë e të lartë, sonte fituan shqiptarët dhe sonte një klasë politike u pensionua, andaj urime fitorja dhe urime pensionimin kundërshtarëve politikë”, tha Mexhiti në një konferencë për media.
Fitorja në Çair, ai theksoi se nuk është fitore personale e tij, as vetëm e VLEN-it, “por është e gjithë shqiptarëve”.
Ky, sipas Mexhitit, është çasti kur Ali Ahmeti, dikur kryetar i tij, duhet të tërhiqet. “Vota e shqiptarëve të dërgojë në pension politik, kështu që uroj nga zemra ditë të qeta dhe pensioni”, deklaroi ai ndër të tjera.
Deri më tani, nuk ka pasur asnjë prononcim nga kundërkandidati i tij, Bujar Osmani.









