Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) ka thënë se në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Maqedoni të Veriut ka pasur blerje masive të votave, po pavarësisht këtyre theksuan se qytetarët nuk lejuan që këto metoda ta devijojnë rezultatin e zgjedhjeve.

Këto komente i bëri nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) – pjesë e AKI-së – Arbër Ademi, në një konferencë për media pas mbylljes së qendrave të votimit.

“Pamë blerje masive të votës, pamë asfalt elektoral… shfrytëzim të resurseve publike dhe ndërhyrje brutale të aparatit shtetëror në favor të pushtetit”, tha Ademi.

“Pavarësisht këtyre abuzimeve, qytetarët dëshmuan se dijnë të dallojnë dhe nuk lejuan që këto metoda të errëta ta devijojnë rezultatin e raundit të parë. Prandaj, jemi të bindur se nuk do të arrijnë as tani në raundin e dytë”, shtoi.

Ai i bëri thirrje çdo komisioneri, çdo vëzhguesi dhe çdo institucioni përgjegjës “që me ndershmëri dhe përgjegjësi të lartë profesionale të garantojnë votën e lirë të qytetarëve dhe integritetin e procesit zgjedhor”.

“Çdo votë është e shenjtë dhe çdo ndërhyrje në të është ndërhyrje në të ardhmen e vendit”, shtoi.