Deri në ora 11:00, rreth 70 mijë qytetarë kanë votuar në zgjedhjet lokale që po mbahen të dielën në Maqedoni të Veriut.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) njoftoi se kanë votuar 10 për qind e qytetarëve.

“70 mijë e 424 votues deri në ora 11:00 e kanë kryer të drejtën e tyre te votës thënë kjo në përqindje jehona e votuesve deri në ora 11 është 10,10 për qind”, kanë thënë nga KSHZ-ja, transmeton RTV21.

Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut sot është duke u mbajtur raundi i dytë i zgjedhjeve lokale.

Në këtë raund, kanë të drejtë vote 1 milion e 13 mijë e 357 votues nga mbi 1 milion e 800 mijë sa kanë qenë të regjistruar në raundin e parë të zgjedhjeve lokale në RMV.

Të shtunën kanë votuar personat me nevoja të veçanta.

Ky proces është duke u monitoruar nga 1 mijë e 569 vëzhgues, prej të cilëve 904 janë vendas dhe 651 ndërkombëtarë.

Vëmendja më e madhe tek kampi shqiptar është në komunën e Tetovës, ku përballen Bilall Kasami i VLEN-it me Bajram Rexhepin e Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI).

Gjithashtu, vëmendje të madhe ka Komuna e Kërçovës dhe ajo e Bërvenicës, ku kandidatët shqiptarë përballen me ata maqedonas.

Në Kërçovë përballet Fatmir Dehari i AKI-së me Aleksandër Jovanovskin e VMRO-DPMNE-së, ndërsa në Bërvenicë Haqim Ramadani i VLEN-it me Jovica Ilievskin e VMRO-DPMNE-së.