Nga mbrëmë në mesnatë e deri nesër në ora 19:00, Maqedonia e Veriut ka hyrë zyrtarisht në heshtjen zgjedhore që i paraprin zgjedhjeve lokale të së dielës së 19 tetorit.

Këto janë zgjedhjet e teta lokale që kur Maqedonia e Veriut u bë e pavarur.

Votimet do të zhvillohen në të gjitha 80 komunat e vendit, pra në 3474 vendvotime për 309 kandidatë për kryetar komunash e për 576 lista me kandidatë për anëtarë të këshillave komunalë.

Në këto zgjedhje marrin pjesë 22 parti, 19 koalicione e 119 iniciativa qytetare ose kandidatura të pavarura. Qyteti me më së shumti kandidatë për kryetar komune është Qyteti i Shkupit, i cili numëron 16 sosh.

Numri i qytetarëve që kanë të drejtë vote është 1.832.415, prej të cilëve 112.000 janë pjesë e Listës së veçantë Zgjedhore me persona që janë shpërngulur nga shteti. Votimi nga diaspora nuk është i mundshëm në këto zgjedhje, por votimi është i mundshëm nëse bëhet brenda vendit.

Sondazhet nxjerrin një garë jo të nxehtë në komunat me shumicë maqedonase, ku prin partia e pushtetit VMRO-DPME, por garë e ashpër pritet të zhvillohet në qytetet me shumicë shqiptare, ku dy blloqet politike, Aleanca Kombëtare për Integrim dhe VLEN, do të zhvillojnë betejë të ashpër, për të cilën nga shumë besohet se përcakton ndjeshëm të ardhmen e secilit prej këtyre blloqeve.