Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka mbajtur një mbledhje të mërkurën, ku është diskutuar për zhvillimet politike në vend.  Aty është vendosur që ish-Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ta udhëheqë shtabin zgjedhor dhe fushatën e partisë për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.

“Në këtë mbledhje u diskutua gjithashtu për mobilizimin e plotë të të gjitha strukturave të partisë për regjistrimin e votuesve dhe përkrahësve të PDK-së në mërgatë”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Nga PDK kanë theksuar se mbeten të hapur dhe mirëpresin të gjitha personalitetet që duan të jenë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë.

“Partia Demokratike e Kosovës hyn në këtë proces zgjedhor me vizion të qartë, me ekip të përgatitur dhe me besimin se do t’i japë Kosovës drejtimin që meriton”.

Aty potencohet se Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i ka shprehur mirënjohje edhe ish-deputetit Ferat Shala, i cili ka vendosur të mos garojë në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.