Mediat shqiptare në Maqedoni të Veriut kanë raportuar se Drejtoria e Aviacionit Civil është duke vonuar në mënyrë të qëllimshme dhënien e lejeve për aterim për aeroplanët çarter të cilët pritet që të mbërrijnë të premten ose të shtunën në aeroportin e Shkupit dhe të Ohrit për të marrë pjesë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Siç raportohet, pjesa dërrmuese e pasagjerëve janë shqiptarë. Këto raportime i ka konfirmuar për VOX Kosova edhe nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Arbër Ademi, i cili tha se “kemi informacione të tilla”.
Krejt kjo raportohet se është duke ndodhur me dijeninë e drejtorit të Aviacionit Civil, Dragi Stojanovski – pjesë e VMRO-DPMNE-së – i cili, sipas raportimeve, wshtw duke e vonuar dhënien e përgjigjeve pozitive për kërkesat e agjencive turistike që kanë siguruar fluturimet çarter.
Mediumi “KOHA” raporton se bëhet fjalë për avionë që vijnë nga Zvicra, Gjermania, Italia dhe vende të tjera të Evropës, të cilët kanë aplikuar për leje aterimi në aeroportet e RMV-së, por që nuk kanë marrë ende përgjigje nga autoritetet.
Shumica e udhëtarëve janë shqiptarë, të cilët janë organizuar nga diaspora për të ardhur për të votuar në Kërçovë dhe Bërvenicë për kandidatët shqiptarë, të cilët përballen me ata maqedonas në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që do të mbahen të dielën.
Drejtoria e Aviacionit Civil e RMV-së ende nuk ka asnjë reagim zyrtar në lidhje me këto akuza.
Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale në Kërçovë, i pari doli Aleksandër Jovanovski i VMRO-DPMNE-së me 44.50 për qind, ndërsa i dyti Fatmir Dehari i AKI-së me 21.28 për qind. I treti u rendit Fatmir Limani i VLEN-it me 15.86 për qind, i ndjekur nga Shkodran Alili, kandidat i pavarur, i cili mori 15,26 për qind.
Në balotazhin e së dielës do të përballen Dehari i AKI-së me Jovanovski e VMRO-DPMNE-së.
Ndërsa në Bërvenicë, në raundin e parë të zgjedhjeve, i pari doli Jovica Ilievski i VMRO-DPMNE-së me 46.49 për qind të votave, i ndjekur nga Haqim Ramadani i VLEN-it me 27.73 për qind. I treti u rendit Enver Pajaziti i AKI-së me 15.74 për qind të votave.
Në balotazhin e së dielës, do përballen Ilievski i VMRO-DPMNE-së me Ramadanin e VLEN-it.









