Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, që u mbajt të dielën e 9 nëntorit, ka konfirmuar fuqinë politike dhe stabilitetin e kësaj partie.

Ai ka theksuar se AAK-ja ka fituar në 5 komunat ku ka qeverisur dhe se do të bashkëqeverisin në mbi 10 komuna.

“Kemi triumfuar në 5 komunat ku kemi qeverisur, ndërsa do të jemi në bashkëqeverisje në mbi 10 komuna. Në kuvendet komunale, Aleanca përfaqësohet me 98 asamblistë”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Haradinaj ka shprehur mirënjohje ndaj aktivistëve të partisë, diasporës për angazhimin e përkushtimin dhe për 87 mijë e 358 qytetarë që votuan për AAK-n.

“Andaj, dua të shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë aktivistët dhe strukturat tona, veçanërisht atyre në Diasporë, të cilët treguan përkushtim dhe vërtetësi në çdo hap”, shtoi.

Kosova, siç thotë ai, edhe një herë dëshmoi se di të organizojë zgjedhje me standarde të larta demokratike. “Me këtë rast, shpreh vlerësimin dhe falënderimin tim për të gjitha institucionet e vendit për punën e shkëlqyer që kanë bërë”.

Kryetari i AAK-së ka falënderuar edhe kryetarët e komunave të cilët fituan garën.

“Kryetarëve Ardian Gjini në Gjakovë, Bali Muharremaj në Suharekë, Bashkim Ramosaj në Deçan, Smajl Latifi në Rahovec dhe Zenun Elezaj në Klinë, ju them faleminderit nga zemra. Ju treguat se jeni vlera e vazhdimësisë së transformimit të komunave që qeverisni, me punë konkrete dhe qeverisje të përgjegjshme për çdo qytetar”, shtoi ai.

Për të dhe për secilin, ai thotë se ky është një “rezultat i madh dhe një konfirmim i qartë se modeli i qeverisjes së Aleancës sjell ndryshime reale dhe pozitive për qytetarët”.

“Aleanca, është këtu dhe do të mbetet me rezultate e punë edhe më të madhe”.