Në Maqedoni të Veriut ka filluar procesi i votimit në të gjitha komunat. Qendrat e votimit janë hapur në ora 07:00 dhe do të mbyllen në ora 19:00.
Të drejtë vote në këto zgjedhje lokale në RMV kanë 1 milion e 832 mijë e 415 qytetarë.
Votimi është duke u zhvilluar në 80 komuna. Janë 3 mijë e 474 vendvotime. Ndërsa, në garë janë 309 kandidatë për kryetarë komunash.
Në zgjedhje janë duke marrë pjesë 22 parti, 19 koalicione dhe një numër i konsiderueshëm i iniciativave qytetare apo kandidaturave të pavarura.
Në kampin maqedonas, gara kryesore do të zhvillohet mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së.
Në kampin shqiptar mes koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) – i drejtuar nga Ali Ahmeti – dhe koalicionit VLEN.
Gara kryesore te shqiptarët është në Çair dhe Tetovë.
Në kryeqendrën e shqiptarëve në RMV, Tetovë, Bilall Kasami i VLEN-it kërkon edhe një mandat në krye të komunës, ndërsa si sfidant ka Bajram Rexhepin e BDI-së – pjesë e AKI-së.
Nga ana tjetër, në Çair janë duke u përballur dy figura tejet të rëndësishme politike të shqiptarëve në RMV: zëvendëskryeministri i parë i RMV-së nga radhët e VLEN, Izet Mexhiti, dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme të RMV-së nga radhët e BDI-së, Bujar Osmani.
Ndryshe, këto janë zgjedhjet e teta (8) lokale në RMV që nga pavarësimi.









