Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se dy koalicione janë krijuar për zgjedhjet lokale të 12 tetorit dhe pesë parti kanë zgjedhur të mos hyjnë fare në garë.
Koalicioni “Koalicija Vakat” përbëhet nga Demokratska Stranka Bošnjaka (DSB) dhe Demokratska Stranka Vatan (DSV) – dy parti që përfaqësojnë komunitetin boshnjak në Kosovë. Ndërsa, koalicioni i dytë, “SDU-NAŠA (NAŠA SDU)” përfshin Socijaldemokratska Unija dhe Naša Inicijativa dhe është formuar për Komunën e Prizrenit.
Partitë politike që nuk do të garojnë në zgjedhje janë: Partia e Drejtësisë (PD), Organizata Balli Kombëtar Demokrat (OBKD), Partia Demokratike e Diasporës (PDD), Kosovaki Nevi Romani Partia (KNRP) dhe Partia Balliste (PB).
KQZ-ja ka bërë të ditur se më 23 qershor është përmbyllur afati për partitë që synojnë të garojnë përmes koalicioneve, si dhe për ato që nuk do të marrin pjesë në këto zgjedhje.
Subjektet politike që do të garojnë në zgjedhje mund të aplikojnë për certifikim dhe të dorëzojnë listat e kandidatëve nga 26 qershori.