Ish-deputeti Eman Rrahmani ka thënë se partia që ai udhëheq “Lista për Familjen” do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare kurdo që ato të mbahen, derisa ka theksuar se janë të hapur për bashkëpunim parazgjedhor me të gjitha partitë.

Kështu ka bërë të ditur përmes një video të publikuar në Facebook.

“E shpallim vendimin tonë që të marrim pjesë në zgjedhjet parlamentare kurdo që ato të mbahen. Mbi 20 mijë vota janë një amanet që duhet çuar në vend. Janë 20 mijë zëra që na besuan, që na mbështetën për një kauzë të drejtë për mbrojtjen e familjes sonë shqiptare”, tha ai.

Ai theksoi se kauza e këtij koalicioni nuk do të ndalet. “Ajo do të vazhdojë, do të forcohet edhe do të jetësohet, sepse është kauzë për vlera, për dinjitet, për të ardhmen tonë të përbashkët”, shtoi.

Rrahmani theksoi se është i gatshëm për bashkëpunim parazgjedhor me të gjitha partitë parlamentare, “duke u mbështetur në rezultatet tona dhe mbi të gjitha në parime të përbashkëta”.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura më 9 shkurt 2025, kjo parti kishte marrë 20 mijë e 23 vota apo 2.13 për qind. Ky rezultat kishte qenë i pamjaftueshëm për t’u bërë pjesë e Kuvendit.

Ndryshe, pasi që dy mandatarët e Vetëvendosjes – Albin Kurti dhe Glauk Konjufca – dështuan që ta krijojnë Qeverinë e re, është hapur rruga për zgjedhje të reja.

Në këtë drejtim, sot Presidentja Vjosa Osmani do të mbajë një takim me krerët e partive politike për t’u konsultuar në lidhje me datën e zgjedhjeve të reja.