Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë thënë se janë në pritje të të vendimeve të Gjykatës Supreme në lidhje me ankesat që janë bërë ndaj rezultateve të shpallura më 27 qershor.

Në rast se vendimet, nuk kanë obligime për KQZ-në, atëherë do të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të vendimmarrjes së Gjykatës Supreme lidhur me ankesat e paraqitura për rezultatet e shpallura më 27 qershor. Nëse vendimet nuk përmbajnë obligime për KQZ-në, mund të procedohet me certifikimin e rezultateve. Ndërkaq, nëse vendimet përmbajnë obligime për KQZ-në, ato do të zbatohen fillimisht, ndërsa më pas do të procedohet me certifikimin e rezultateve”, tha zëdhënësi i KQZ-së për VOX Kosova, Valmir Elezi.

Sipas rezultateve të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë partia e parë me 47.13 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës e dyta me 19.44 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës e treta me 16.69 për qind të votave dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e katërta me 6.74 për qind të votave.