Procesi i rinumërimit të votave të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit pritet të marrë fund javën e ardhshme, sipas zëdhënësit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
“KQZ planifikon që procesi i rinumërimit të të gjitha vendvotimeve të përmbyllet gjatë javës në vazhdim”, ka thënë zëdhënësi i KQZ.
Elezi ka deklaruar se po bëhen përpjekje maksimale që të kryhet ky proces, në mënyrë që sa më shpejt të procedohet me shpalljen e rezultatit final. Ai ka deklaruar se procesi i rinumërimit pritet të kontribuojë në rënien e nevojës për ankesa, por se nuk përjashtohet mundësia që procesi, sipas ligjit, të shkojë edhe në Gjykatën Supreme.
“Ashtu siç parashihet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, subjektet politike dhe kandidatët do të mund të parashtrojnë ankesat e tyre në PZAP dhe, eventualisht, procesi mund të vazhdojë deri në Gjykatën Supreme. Natyrisht, procesi i rinumërimit i heq dilemat sa i përket rezultateve dhe kjo mund të zvogëlojë nevojën për ankesa, por KQZ duhet të presë afatin për paraqitjen dhe shqyrtimin e tyre para se të procedojë me certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe njëkohësisht me përmbylljen e procesit zgjedhor”.
Numërimi i votave të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit përfundoi më 9 janar, por më 13 janar, KQZ vendosi për rinumërimin e pjesshëm të votave në disa qytete. Më 19 janar, si pasojë e diferencës së madhe të votave KQZ vendosi për rinumërim të plotë të votave për kandidatë për deputet.
Dje, më 23 janar, 150 persona janë ndaluar gjatë një operacioni të gjerë të Policisë së Kosovës në Prizren, nën dyshimet për manipulim të votave në zgjedhjet e fundit nacionale.









