Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se cilado datë që e cakton Presidentja Vjosa Osmani, për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare është e pranueshme për partinë që ai drejton.

Këto komente, Hamza i bëri në një prononcim për gazetarë, pas takimit që pati ai dhe liderët e tjerë të partive politike – përjashto Albin Kurtin e Vetëvendosjes – me Presidenten Osmani, ku kanë diskutuar për datën e zgjedhjeve të reja.

“Cila do të jetë data e zgjedhjeve? Cila datë që të caktohet nga Presidentja e vendit në përputhje me afatet ligjore dhe kushtetuese”, tha Hamza, derisa fajësoi partinë në pushtet se pse Kosova po shkon në zgjedhje të reja.

Presidentja Osmani, në një konferencë për media mëngjesin e së premtes, njoftoi se e ka shpërndarë Kuvendin, pas dështimit të zgjedhjes së Presidentit për shkak të kuorumit.

Në këtë drejtim, Hamza tha se beson që e para e vendit “i ka analizuar mirë veprimet e veta, ka vepru në përputhje dhe përgjegjësitë e veta”.

Pas dështimit të seancës për zgjedhjen e Presidentit të enjten, Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi që i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, dhe ka kërkuar masë të përkohshme.

Po, për Hamzën kjo nuk paraqet fare problem, pasi që thotë se çfarëdo vendimi që të jap Kushtetuesja, PDK-ja do ta pranojë.

“Ne e dimë që janë dërgu disa shkresa. A do t’i trajtojë Gjykata Kushtetuese si të pranueshme apo të papranueshme, çdo vendim që merret nga Gjykata Kushtetuese ka qenë i respektuar dhe i zbatuar nga PDK-ja”, deklaroi ai ndër të tjera.

Për dallim nga partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje kanë pretenduar se dekreti i Presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit është antikushtetues.