Vetëm pak orë pasi presidentja e vendit, Vjosa Osmani, caktoi 28 dhjetorin si datë të Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme në Kosovë, në zyrën e saj priti në takim të ngarkuarën me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati. Në një komunikatë dërguar mediave, u bë me dije se çështje diskutimi ishte pikërisht ajo e zgjedhjeve.
“Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit në vend dhe për mbajtjen e zgjedhjeve te parakohshme. Presidentja theksoi rëndësinë e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor dhe respektimit të standardeve më të larta demokratike”, tha Presidenca në komunikatë.
Pavarësisht se partitë kryesore, përveç Vetëvendosjes, kërkuan që zgjedhjet të mbahen më 21 dhjetor, kryetarja e shtetit vendosi ta aprovojë dëshirën e partisë së Albin Kurtit.









