Demokracia në Veprim përmes një komunikate për media ka njoftuar se vetëm 3 për qind e vendvotimeve janë hapur me vonesë të dielën, e kjo kryesisht për shkak të mungesës së komisionerëve.
“Sipas të dhënave të terrenit, me vonesë janë hapur vetëm 3% e vendvotimeve. Vonesa më të theksuara ka pasur në rajonin e Pejës. Është raportuar se shkaku kryesor pas vonesave në hapjen e vendovotimeve me kohë lidhet me mungesën e komisionerëve. Vetëm në 2% të vendvotimeve nuk ka pasur vendosje adekuate të kabinave të votimit apo kamerave. Vendosja jo e duhur e kamerave ka qenë më e shprehur në komunat me shumicë serbe”, thuhet në komunikatën për media.
DnV vlerësoi se një numër i konsiderueshëm i Qendrave të Votimit në Kosovë vazhdojnë të jenë të paqasshme për personat me aftësi të kufizuara fizike.
“Është raportuar se 16% e Qendrave të Votimit në nivel vendi nuk kanë infrastrukturë adekuate ose pjerrina që mundësojnë qasje më të lehtë në objekte ku po zhvillohet votimi”.
Në këto zgjedhje të parakohshme të drejtë vote brenda Kosovës kanë 1,999,204 votues, prej të cilëve 7,192 janë votues të rinj të cilët pas zgjedhjet e fundit lokale të 12 tetorit 2025 i kanë mbushur 18 vjet.









