Ish-kryeinspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Burim Ramadani, do të jetë kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.

Lajmi është bërë i ditur nga Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në Facebook të enjten.

“Është ndër njerëzit më të përgjegjshëm dhe profesionistët më të përgatitur që unë njoh. Besnikëria ndaj shtetit, integriteti i tij, përvoja dhe aftësitë e bëjnë një vlerë të veçantë për Kosovën. E mbështes plotësisht kandidimin e tij për deputet, sepse besoj që zëri dhe veprimi i tij racional, kritik dhe i matur do t’i shërbejë shtetit”, shkroi ai.

Haradinaj është shprehur i lumtur që Ramadani pranoi kërkesën e tyre për të qenë kandidat për deputet.

“Burim Ramadani është mendje e kthjellët që punon për sigurinë e shtetit. Kosova ka nevojë për të. Ne kemi nevojë për të”, shtoi ai.