Afati për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës ka përfunduar. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë periudhës 26 nëntor – 6 dhjetor, ka pranuar mbi 84 mijë e 700 aplikime për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e 28 dhjetorit, prej të cilave rreth 71 mijë e 900 janë aprovuar.

“Është përmbyllur periudha e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin më 28 dhjetor. Sipas të dhënave preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), gjatë periudhës 26 nëntor – 6 dhjetor janë pranuar mbi 84,700 aplikime për regjistrim, prej të cilave rreth 71,900 janë aprovuar”, ka thënë Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Ai ka treguar se rreth 6 mijë e 700 aplikime janë refuzuar, ndërsa 5 mijë e 900 të tjera janë në vlerësim.

Nga aplikuesit e aprovuar, pjesa më e madhe kanë zgjedhur të votojnë përmes postës. “Mbi 51 mijë prej tyre për të dërguar pakon me fletëvotim në ndonjërën nga adresat e kutive postare jashtë Kosovës dhe rreth 2 mijë e 500 të tjerë për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë”, shtoi.

Ndërkaq, Elezi bëri të ditur se rreth 18 mijë shtetas janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike të Kosovës.