Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) kanë njoftuar se partitë politike që synojnë të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, por edhe ato që nuk do të marrin pjesë, duhet të njoftojnë KQZ-në deri më 7 maj, ndërsa afati për pjesëmarrje në zgjedhje përmes koalicioneve po ashtu është deri më 7 maj.
“Të gjitha partitë politike të regjistruara në Kosovë, janë të obliguara që në një afat prej 7 ditësh, pra nga 1 maji deri më 7 maj, të njoftojnë KQZ-në, për pjesëmarrje ose mospjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Ky obligim vlen vetëm për 53 partitë politike që aktualisht janë pjesë e regjistrit të partive politike në Kosovë, pra jo edhe për subjektet politike që duan të marrin pjesë në zgjedhje si nisma qytetare apo kandidatë të pavarur”, ka thënë Elezi për Kosova Press.
Ai ka njoftuar edhe se partitë politike që synojnë të garojnë në zgjedhjet e 7 qershorit përmes koalicioneve duhet të njoftojnë KQZ-në deri më 7 maj.
“Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partitë politike të cilat janë të regjistruara në KQZ dhe të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme përmes koalicionit duhet ta njoftojnë KQZ, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollim Financiar të Subjekteve Politike se duan të marrin pjesë në këto zgjedhje në këtë mënyrë. Afati i fundit për të bërë këtë njoftim është data 7 maj 2026”, tha ai.
Në një konferencë për media të enjten, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, bëri me dije se ka caktuar 7 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Këtë vendim, Haxhiu e mori pas takimit që pati me përfaqësuesit e partive politike. 7 qershori u kërkua edhe nga partitë opozitare: Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare po mbahen pasi që Kuvendi dështoi që ta zgjedh Presidentin e ri.









