Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se më 7 maj, në orën 24:00, është përmbyllur afati për partitë politike të regjistruara në Kosovë për ta njoftuar KQZ-në lidhur me pjesëmarrjen ose mospjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme, si dhe për formimin e koalicioneve parazgjedhore.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka njoftuar se këto obligime kanë vlejtur për 53 partitë politike që aktualisht janë pjesë e regjistrit të partive politike të regjistruara në Republikën e Kosovës.
Sipas të dhënave të KQZ-së, gjatë periudhës 1–7 maj 2026, janë pranuar njoftime për pjesëmarrje në zgjedhje nga 22 parti politike, ndërsa 9 parti kanë njoftuar mospjesëmarrjen. Po ashtu, janë regjistruar edhe 3 koalicione të përbëra nga gjithsej 9 parti politike.
Ndër partitë që kanë konfirmuar pjesëmarrjen në zgjedhje janë: Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lista Serbe, si dhe një numër partish të komuniteteve joshumicë.
Ndërkaq, partitë që kanë njoftuar mospjesëmarrjen janë, mes tjerash, Aleanca Kosova e Re dhe Nisma Socialdemokrate.
Sa i përket koalicioneve, KQZ ka pranuar njoftimet për formimin e koalicionit “VAKAT”, koalicionit “Ashkalitë e Bashkuar”, si dhe koalicionit të përbërë nga Lëvizja Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane, i cili do të garojë me emrin “Lëvizja VETËVENDOSJE!”.








