Zgjedhje të radhës nacionale janë të paevitueshme sipas nënkryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini.

Pas mbledhjës së Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, Gjini u deklarua para mediave e tha se partia e tij nuk ka votë për kandidatët që tashmë janë të ditur për President dhe se partia në pushtet, sipas tij po përgaditë terrenin për të akuzuar partitë opozitare.

“Deri tash, për këta emra që janë në tavolinë, nuk kemi votë. Të tjerat edhe një herë duhet t’i shohim bashkë, mirëpo nuk po besoj që po ekziston një atmosferë dhe një vullnet nga partia më e madhe që në mënyrë të sinqertë dhe serioze të provojë ta përmbyllë këtë proces pa zgjedhje nacionale. Ne nuk po e shohim, unë nuk po e shoh. E gjithë ajo që po ndodh sot është për të përgatitur terren për t’i akuzuar të tjerët për dështimin e mundshëm për zgjedhjen e presidentit. Gjithçka që po përdoret, edhe fjalori që po përdoret, ka një qëllim të vetëm: për të përgatitur terren për t’ia hedhur fajin dikujt tjetër. Nuk shoh fare sinqeritet dhe vullnet për të arritur konsensus me partitë opozitare” deklaroi nënkryetari i AAK-së.

Ndonëse ishte vendimi i Gjykatës Kushtetuese që rezultoi me mbledhje të partisë, nënkryetari i AAK-së nuk e komentoi atë.

“Me sinqeritetin më të madh po e them, këto analiza tani më tepër janë çështje të egove të njerëzve, për të treguar se kush fitoi e kush humbi. Aktgjykimi i Gjykatës ka ardhur dhe është obligativ nëse duam të bëjmë shtet për të gjithë ne, na pëlqejë apo nuk na pëlqejë. Mund të bëjmë analiza sa të duam, mirëpo edhe analizat po i shoh se po bëhen në frymën e një debati më shumë egoist sesa që na sjellin diçka konkrete. Prapë është garë se kush kujt t’ia hedhë fajin” tha Gjini.

Përndryshe, vendimi i Gjykatës Kushtetuese i publikuar më 25 mars e rrezoi dekretin e Presidentës, Vjosa Osmani që kërkonte që Kuvendi të shpërndahej, meqë 30 ditë para përfundimit të mandatit të saj, nuk arriti të zgjidhej Presidenti i ri.