Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se gjashtë deputetë të LDK-së nuk do ta votojnë Bekim Sejdiun për president.

Sipas Abdixhikut, bëhet fjalë për Avdullah Hotin, Arben Gashin, Kujtim Shalën, Hykmete Bajramin, Armend Zemajn dhe Janina Ymerin.

Refuzimi i tyre për ta mbështetur kandidaturën e Sejdiut e vë në pikëpyetje sigurimin e votave të nevojshme për zgjedhjen e presidentit.

Mungesa e gjashtë votave nga radhët e LDK-së mund ta komplikojë marrëveshjen për presidentin dhe ta rrezikojë të gjithë procesin.

Nëse kandidati për president nuk arrin të marrë votat e nevojshme në Kuvend, Kosova mund të përballet me zgjedhje të reja.

Mbetet të shihet nëse Vetëvendosje dhe LDK do të arrijnë t’i sigurojnë numrat e nevojshëm për zgjedhjen e Bekim Sejdiut apo nëse kundërshtimet brenda LDK-së do ta çojnë vendin drejt një krize të re politike.