Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpalli dje mbajtjen e Zgjedhjeve Parlamentare, ashtu siç deshi partia Vetëvendosje e Albin Kurtit – më 28 dhjetor.

Ky vendim i saj u kritikua për dy arsye – se iu bind një dëshire të partisë në pushtet në detyrë, në mënyrë që ajo të llogarisë në ardhjen e diasporës, pasi konsideron se ka mbështetje të madhe nga ta.

Dhe, së dyti, sepse vendosi zgjedhje në një kohë festash.

Me një kërkim në internet, del se Kosova nuk është i vetmi vend në botë që organizon zgjedhje në këtë datë. Të paktën edhe tri shtete të tjera – jo fort të lavdëruara për demokraci – organizojnë zgjedhje pikërisht më këtë datë.

Mianmari, Republika e Afrikës Qendrore dhe Guinea janë shtetet e tjera që do të votojnë tri ditë para Vitit të Ri.

Qeveria ushtarake e Mianmarit ka njoftuar se zgjedhjet e shumëpremtuara do të fillojnë më 28 dhjetor, mes skepticizmit të gjerë se autoritetet do të lejojnë një proces të lirë dhe të drejtë.

Njoftimi vjen pasi administrata ushtarake e Mianmarit, e udhëhequr nga Min Aung Hlaing, muajin e kaluar shpalli fundin e gjendjes së jashtëzakonshme në disa pjesë të vendit për t’u përgatitur për zgjedhjet në dhjetor dhe janar.

Administrata e Min Aung Hlaing vendosi gjendjen e jashtëzakonshme pasi rrëzoi qeverinë e zgjedhur demokratikisht të Aung San Suu Kyi-së në grusht shtetin e vitit 2021.

Grupet opozitare, përfshirë Lidhjen Kombëtare për Demokraci të Aung San Suu Kyi-së, janë zotuar të bojkotojnë zgjedhjet, duke i konsideruar ato një farsë që synon të forcojë pushtetin e Min Aung Hlaing.

Mianmari është përfshirë nga lufta civile që prej grusht shtetit, me pjesë të mëdha të territorit nën kontrollin e grupeve të ndryshme rebele, përfshirë Forcat e Mbrojtjes së Popullit, Ushtrinë Arakane dhe Ushtrinë për Çlirimin Kombëtar Ta’ang.

Republika e Afrikës Qendrore do të mbajë zgjedhjet e saj të përgjithshme më 28 dhjetor 2025. Votimi do të përfshijë zgjedhjet presidenciale, parlamentare, rajonale dhe komunale – një provë vendimtare për stabilitetin e vendit, ndërsa Presidenti Faustin Archange Touadera kërkon mandatin e tretë të diskutueshëm.

Presidenti Touadera, i zgjedhur për herë të parë në vitin 2016 dhe rizgjedhur në 2020, deklaroi synimin për të kandiduar sërish në fund të korrikut.

Kandidatura e tij vjen në një kohë të përmirësimit gradual të situatës së sigurisë, megjithëse vendi mbetet i brishtë pas viteve të konfliktit.

Kritikët atje argumentojnë se zgjatja e pushtetit të tij mund të minojë progresin demokratik, ndërsa mbështetësit e kreditojnë atë për rikthimin e stabilitetit.

Edhe Guinea – që përjetoi vite më parë një puç ushtarak – do të shkojë në zgjedhje më 28 dhjetor.

Vendi udhëhiqet që nga viti 2021 nga Mamady Doumbouya.

Guinea, një ish-koloni franceze me 14.5 milionë banorë, ka vuajtur prej dekadash nga grushtet e shtetit dhe dhuna e regjimeve autoritare.

Megjithatë, ajo përjetoi një periudhë tranzicioni demokratik pas zgjedhjes së Condé në nëntor 2010, derisa ai u rrëzua nga Doumbouya në shtator 2021.

Që kur erdhi në pushtet, Doumbouya ka kufizuar ndjeshëm liritë. Qeveria ushtarake ka ndaluar protestat dhe ka arrestuar, ndjekur penalisht ose detyruar në mërgim disa udhëheqës opozitarë, disa prej të cilëve kanë qenë viktima të zhdukjeve me forcë. Edhe disa media janë pezulluar dhe gazetarë janë arrestuar.