Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se për çështjen e zgjedhjes së Presidentit të ardhshëm të Kosovës, fillimisht do të bisedojë me Presidenten aktuale, Vjosa Osmani dhe pastaj me partitë opozitare.

Këto komente, Kurti i bëri në një konferencë për media, ku shpalli fitoren në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, pasi që partia e tij, me mbi 97 për qind të votave të numëruara, ka marrë 49.62 për qind të votave.

“Është tepër herët të flasim tani sonte do të festojmë dhe jo vetëm sonte. Por, natyrisht që nuk do të vonohemi që ta trajtojmë edhe këtë çështje. Na duhet që të bisedojmë edhe me opozitën për çështjen e Presidentes apo Presidentit të ardhshëm, por siç e kam thënë edhe mbrëmë në një emision në RTK paraprakisht do të ulem e të bisedojë me Presidenten aktuale”, ka thënë Kurti.

Pas kësaj, ai tha se do të ndërmarrin edhe hapat e ardhshëm “në mënyrë që të ecim përpara bashkë”. “Sepse dihet që si për marrëveshjet ndërkombëtare ashtu për zgjedhjen e Presidentit është e nevojshme që të qëndrojnë së paku 80 veta në sallë edhe nëse votojnë kundër dhe për këtë do të na duhet të bisedojmë”.

Këtë, ai e konsideron si hap të tretë. “Paraprakisht certifikimi i rezultateve që do të na bëjë të qartë përbërjen e saktë të legjislaturës së dhjetë të konstituuar në Kuvend. Ne urojmë e shpresojmë në janar të vitit 2026”.

Sa i përket rezultatit që mori në zgjedhje, Kurti theksoi se është fitorja më e madhe ndonjëherë në histori të Kosovës.

“Më 9 shkurt fitoi Lëvizja Vetëvendosje, më 28 dhjetor fitoi populli dhe Republika e Kosovës. Urime fitorja më e madhe në histori të vendit”, deklaroi ai ndër të tjera.