Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se ka pezulluar nga puna dy inspektorë dhe një zyrtar përgjegjës lidhur me shembjen e rrugës “Don Shtjefën Kurti” në Prishtinë.

“Pas ngjarjes së djeshme në punishten ndërtimore në rrugën ‘Don Shtjefën Kurti’ kam ndërmarrë masa të menjëhershme ndaj përgjegjësve komunal.  Janë pezulluar nga puna dy inspektorët e zonës ku ka ndodhur rasti, si dhe zyrtarin përgjegjës për lëndën”, shkroi Rama në Facebook.

Punishtet ndërtimore, siç thekson ai, duhet t’i nënshtrohen “inspektimit të rreptë dhe të vazhdueshëm nga Inspektorati komunal, në mënyrë që të garantohet siguria e punëtorëve, qytetarëve dhe cilësia e punimeve sipas projektit të pranuar!”

Çdo neglizhencë në këtë drejtim, thotë ai, është e patolerueshme.

“Përveç procedurave që do të zhvillohen nga Komisioni Disiplinor i Kryeqytetit, jemi të hapur për bashkëpunim të plotë me Prokurorinë Themelore në Prishtinë në kuadër të hetimit të nisur për këtë rast, të cilin e kam kërkuar menjëherë dje dhe e mirëpres fillimin e tyre”, shtoi ai.

Edhe kompanitë private të ndërtimit, theksoi Rama, duhet të marrin përgjegjësinë e plotë për respektimin e standardeve të sigurisë dhe kushteve të punës. “Çdo shkelje nga ana e tyre duhet të përballet me masa të rënda ligjore”.

“Zero tolerancë”, përfundoi ai.