Departamenti Amerikan i Shtetit ka revokuar më shumë se 175 mijë viza të shtetasve të huaj që nga ardhja e administratës së Presidentit Donald Trump në pushtet, njoftoi DASH-i.

Sipas Departamentit të Shtetit, vizat janë revokuar për persona që kanë shkelur kushtet e vizave, kanë kryer vepra penale, kanë bërë thirrje për dhunë ndaj shtetasve amerikanë, kanë kryer mashtrime, kanë abuzuar me sistemin amerikan të imigracionit ose janë konsideruar rrezik për sigurinë kombëtare.

DASH-i tha se pjesa më e madhe e revokimeve ka ardhur pas përballjeve të këtyre personave me autoritetet amerikane për vepra të ndryshme penale.

Sipas njoftimit, ndër shkaqet kryesore të revokimit të vizave kanë qenë sulmet, drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit ose substancave narkotike, vjedhjet dhe veprat penale të lidhura me drogën.

Departamenti tha se një numër i konsiderueshëm vizash janë revokuar gjithashtu për drejtim të rrezikshëm të automjetit, sulme seksuale, abuzim të fëmijëve, mashtrim dhe përvetësim fondesh.

Raste të ndryshme

Në njoftim, DASH-i përmendi disa raste që kanë çuar në revokimin e vizave.

Mes tyre janë shtetas të huaj të akuzuar për përdhunim, sulm seksual, rrëmbim, trafikim të qenieve njerëzore dhe shfrytëzim seksual të të miturve.

Departamenti përmendi gjithashtu persona të arrestuar për drejtim të automjetit në gjendje të dehur, dhunë në familje dhe rezistencë të dhunshme ndaj arrestimit.

Një tjetër kategori e përmendur është ajo e personave që, sipas DASH-it, janë përfshirë në mashtrime financiare ose në skema të paligjshme që lidhen me sistemin amerikan të kujdesit shëndetësor.

Në një rast, Departamenti tha se një shtetas i huaj, i cili pretendonte se drejtonte një biznes që ndihmonte pacientët të siguronin kujdes shëndetësor, kishte ndihmuar në organizimin e një mashtrimi me Medicaid me vlerë mbi 5 milionë dollarë.

DASH-i tha gjithashtu se ka revokuar viza të personave që dyshohet se kanë përdorur dokumente të falsifikuara ose deklarata të rreme për të përfituar viza amerikane.

Vizat për “turizmin e lindjeve”

Në njoftim përmendet edhe revokimi i më shumë se 100 vizave nga një ambasadë amerikane në Afrikën e Veriut për prindër që, sipas DASH-it, kishin udhëtuar drejt SHBA-së kryesisht për të lindur fëmijët e tyre në mënyrë që ata të fitonin shtetësinë amerikane.

Departamenti e cilëson këtë praktikë si “turizëm lindjesh” dhe thotë se vizat e këtyre personave janë revokuar.

Përmendet edhe rasti Charlie Kirk

DASH-i tha se ka revokuar viza edhe për disa shtetas të huaj që, sipas tij, kanë festuar vrasjen e Charlie Kirk.

Në njoftim përmenden dy persona, njëri prej të cilëve thuhet se kishte deklaruar se “kur fashistët vdesin, demokratët nuk ankohen”, ndërsa një tjetër kishte thënë se Kirk “vdiq shumë vonë”.

Rubio urdhëron masa ndaj shtetasve të huaj

Departamenti i Shtetit tha se Sekretari Marco Rubio ka përcaktuar gjithashtu se një numër shtetasish të huaj mund të dëbohen për arsye që lidhen me politikën e jashtme amerikane.

Mes rasteve të përmendura nga DASH-i janë një shtetas kuban i lidhur, sipas departamentit, me një operacion ndikimi të regjimit komunist kuban, shtetas iranianë me lidhje me regjimin e Iranit, një shtetas nga Laosi i dënuar për abuzim seksual ndaj fëmijëve, si dhe një shtetas nga Kuvajti që, sipas DASH-it, kishte bërë thirrje për dhunë ndaj Presidentit Trump dhe i kishte cilësuar amerikanët si “armiqtë” e tij.

Departamenti Amerikan i Shtetit tha se, nën drejtimin e Presidentit Trump dhe Sekretarit Rubio, do të vazhdojë të identifikojë dhe hetojë shtetasit e huaj që, sipas tij, përbëjnë kërcënim për sigurinë e amerikanëve dhe t’u revokojë vizat.

“Një vizë amerikane është privilegj, jo e drejtë”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit.

DASH-i theksoi se do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të mbrojtur komunitetet amerikane nga personat që, sipas tij, abuzojnë me sistemin e vizave dhe të imigracionit.