Dirk Schuebel, Ambasador i ri i Bashkimit Evropian në Kosovë, sapo ka marrë detyrën ka bërë thirrje që institucionet të formohen shpejtë. Ai theksoi se kjo do t’i mundësonte Bashkimit Evropian “të angazhohet plotësisht me Kosovën dhe t’i ofrojë asaj ndihmën që ka në dispozicion”.

“Përpara kemi një dritare të rëndësishme mundësish. Për të mirën e të gjithë qytetarëve të saj, Kosovës i duhen institucione funksionale të afta për t’i zbatuar reformat e nevojshme dhe për ta shfrytëzuar plotësisht Planin e Rritjes të BE-së dhe financimin e ardhshëm mjaftë të konsiderueshëm të IPA. Shfrytëzimi maksimal i këtyre mundësive kërkon përgjegjësi politike, institucione efektive dhe fokus të qartë në reforma dhe në agjendën e integrimit evropian”, thuhet në komunikatën e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Ai theksoi se do ta mbështes angazhimin konstruktiv të Kosovës në dialogun me Serbinë, si dhe përparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve.

“Do ta mbështes të ardhmen evropiane të Kosovës. Puna drejt saj kërkon angazhimin e tërë shoqërisë dhe përkushtim të përbashkët për ta bërë integrimin në BE prioritet përtej ndarjeve politike. Gjithashtu do ta mbështes angazhimin konstruktiv të Kosovës në Dialogun Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja dhe përparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve, në bashkëpunim të ngushtë me PSBE-në për Dialog, Peter Sorensen”, shtoi ai.