Më 21 qershor 1999, Hashim Thaçi dhe James Rubin po ecnin bashkë rrugëve të Prishtinës.
Të buzëqeshur e të rrethuar nga njerëz plot gëzim, u ulën për një cigare e një kafe.
Ishin ditët e para të lirisë së Kosovës.
Ishte një çast i vogël relaksimi, pas një rrugëtimi të gjatë lufte e diplomacie.
Të dy kishin një bashkëpunim për ta sjellë lirinë në Kosovë.
Po atë ditë, ata u panë në dalje të Prishtinës, në bazën e KFOR-it, në nënshkrimin e marrëveshjes për demobilizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Rubin ishte aty jo si mysafir, por si negociatori special amerikan, i ngarkuar me detyrën e çarmatosjes së UÇK-së.
Por kush është James Rubin për Kosovën?
Ai mund të konsiderohet si zëri i Amerikës në kohën kur fati i Kosovës vendosej mes rrethojave e mureve të Kështjellës së Rambujesë dhe maleve të Kosovës, në luftimet e UÇK-së me forcat serbe.
Rubin ishte ndihmës sekretar i Shtetit dhe zëdhënës kryesor i Madeleine Albright, “zonjës së hekurt” që shtyu Perëndimin të rreshtohej përkrah Kosovës.
Në Kështjellën e Rambujesë ai kaloi ditë të tëra, duke u bërë fytyra publike e diplomacisë amerikane.
Nga Parisi e Uashingtoni, Rubin do të mbronte veprimet e SHBA-ve dhe NATO-s për bombardimin e Serbisë, për ta ndalur dhunën brutale e spastrimin etnik në Kosovë të kasapit të Ballkanit, Slobodan Millosheviq.
Lidhja e tij me Kosovën nuk u shua me përfundimin e luftës.
Ai foli për Kosovën kudo në botë, duke mbrojtur luftën e drejtë për liri e pavarësi.
Për krejt historinë e tij, u dekorua me Medaljen Presidenciale të Meritave nga presidentja.
Për Rubin, UÇK ishte partnere e Amerikës dhe Perëndimit.
“Sa i përket çështjes së UÇK-së në vitet 1998/1999, ne e konsideronim UÇK-në si partnere në bisedimet e paqes dhe Hashim Thaçi përfaqësonte UÇK-në”, thoshte ai në një intervistë për Albanian Post.
Rubin do ta përshkruante UÇK-në si qendrën e procesit të paqes në Rambuje.
Të hënën e javës që po vjen, James Rubin do të jetë sërish në një sallë ku flitet për historinë e Kosovës.
Ai do të ulet në karrigen e dëshmitarit në Hagë, në gjykimin kundër krerëve të UÇK-së.
Kur është pyetur më herët për procesin në Hagë, nuk ka komentuar shumë, përveçse ka thënë se historia nuk mund të rishkruhet.
“Nuk do të komentoj procesin gjyqësor, por nuk mendoj se historia mund të rishkruhet.
Historia e asaj kohe është shumë e qartë. Sllobodan Millosheviç-i dhe vartësit e tij shfrytëzuan autoritetin mbi forcat ushtarake serbe për të masakruar kosovarët dhe kërcënuar se do të masakronin dhjetëra mijëra të tjerë. Këto janë faktet.”
Dëshmia e tij ka peshë të veçantë: është dëshmia e një njeriu që e jetoi nga brenda diplomacinë e Rambujesë, rolin e SHBA-ve, vendimet e NATO-s, çarmatosjen e UÇK-së.
Ai nuk flet nga të thënat e të dëgjuarat – por nga përfshirja personale në luftën e Kosovës për liri.
Ky moment shënon një kthesë të madhe në një proces të kontestuar për devijime juridike dhe dëshmitarë shpesh të kontestuar.
Fjalët e tij janë provë politike, faktike e diplomatike se UÇK-ja ishte në krah të Perëndimit, dhe se drejtësia nuk mund të shkruhet duke e përmbysur historinë.