Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka mbërritur në Washington, ku pritet të takohet me presidentin amerikan, Donald Trump, në prani edhe të liderëve evropianë.
Presidenti amerikan po i shton presion Kievit që të pranojë kushte për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, duke e vendosur theksin tek kërkesat e Kremlinit. Dy ditë pas takimit me Vladimir Putinin, Trump deklaroi se Zelensky duhet të pranojë disa nga kërkesat e Moskës, përfshirë dorëzimin e Krimesë dhe zotimin që Ukraina të mos i bashkohet kurrë NATO-s.
Nga Shtëpia e Bardhë janë dhënë sinjale për një lëvizje drejt marrëveshjes së paqes. I dërguari amerikan, Steve Witkoff, tha për CNN se Putin ka rënë dakord të lejojë garanci sigurie për Ukrainën dhe ka ofruar lëshime për “shkëmbime territoresh”.
Megjithatë, Zelensky përsëriti të dielën vijën e tij të kuqe: “Kushtetuta e Ukrainës e bën të pamundur dorëzimin ose tregtimin e territoreve.”