Sipas rezultateve preliminare, Partia Socialiste e Serbisë, që drejtohet nga Ivica Daçiç, ish-zëdhënës i Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviç, nuk e ka kaluar pragun dhe do të mbetet jashtë Kuvendit të Serbisë.

Daçiç ka marrë 2.3 për qind të votave, të pamjaftueshme për t’u bërë pjesë e parlamentit, pasi që duhet të jenë së paku 3 për qind e votave.

Në një konferencë për media, nga selia e SNS-së, pak pas mbylljes së qendrave të votimit, Aleksandër Vuçiç, bartës i listës “Serbia e Bashkuar”, tha se “bazuar në mostrën e rezultateve, është e qartë se i humbëm këto zgjedhje”.

Sipas rezultateve preliminare, Lista e Studentëve fitoi 52 për qind të votave, apo 138 deputetë, ndërsa Lista “Aleksandër Vuçic – Serbia e Bashkuar” fitoi 39.3 për qind të votave, apo 104 deputetë.

Vuçiç dhe Partia Progresive Serbe është në pushtet që nga viti 2012.

Vuçiç kishte dhënë dorëheqje nga pozita e Presidentit për të garuar si kandidat për Kryeministër.

Këtë të diel, në Serbi u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, ku votuan rreth 70 për qind e qytetarëve.

Shqiptarët garuan në një listë të përbashkët të quajtur “Koalicioni Shqiptar”. Bartësi i kësaj liste, Shaip Kamberi, tha se shqiptarët i kanë fituar 2 deputetë dhe janë në garë për të tretin.