RTK-ja ka kërkuar falje pasi Partia Demokratike e Kosovës publikoi një reagim, duke e demantuar kronikën e transmetuar në edicionin qendror të lajmeve, ku thuhej se PDK-ja kërkon “uljen e dënimeve për krerët e UÇK-së”.

Në reagimin e saj, PDK-ja e kishte cilësuar raportimin si të pavërtetë dhe fyes, duke kërkuar nga transmetuesi publik korrigjimin e kronikës dhe falje publike.

Pas këtij reagimi, RTK-ja ka dalë me një sqarim, përmes të cilit ka pranuar se ka pasur një lëshim në nëntitullin e kronikës “Beteja e Apelit”.

Megjithatë, RTK-ja nuk ka specifikuar se ku qëndronte pasaktësia në kronikë dhe nuk i është referuar drejtpërdrejt raportimit se PDK-ja po kërkon uljen e dënimeve për krerët e UÇK-së.

Në sqarimin e saj, transmetuesi publik vetëm ka thënë se bëhet fjalë për “një lëshim të evidentuar të nëntitullit”, pa e bërë të qartë për publikun se cili ishte informacioni i pasaktë në kronikë.

“Lidhur me reagimin e PDK-së ndaj një kronike të transmetuar në edicionin qendror të RTK-së, përkitazi me këtë çështje, menaxhmenti i RTK-së sqaron se kërkon falje për këtë lëshim të evidentuar të nëntitullit të kronikës ‘Beteja e Apelit’. RTK sqaron se nuk ka pasur për qëllim të keqinformojë. Kjo pasaktësi do të korrigjohet dhe do të largohet nga platformat e RTK-së”, thuhet në reagimin e RTK-së.

Pra, ndonëse RTK-ja ka kërkuar falje dhe ka pranuar se ka pasur një pasaktësi, në reagimin e saj nuk e ka sqaruar qartë se cili informacion ishte i pasaktë dhe nuk e ka përmendur drejtpërdrejt raportimin e demantuar nga PDK-ja.