Ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ishte edhe bartëse e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, ka thënë se emri i saj nuk do të jetë pengesë në krijimin e institucioneve.

Këto komente, Osmani i bëri përmes një postimi në Facebook, një ditë pasi që tha se “Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asnjë arsyeje që ta refuzojë emrin tim për presidente të shtatë të Republikës së Kosovës”.

“Emri im as nuk ka qenë, as nuk është e as nuk do të bëhet pengesë në krijimin e institucioneve. Përkundrazi, i gjithë kontributi im do të jetë i fokusuar vetëm në daljen nga kriza dhe ndërtimin e institucioneve të cilat mbrojnë shtetin, demokracinë, kushtetutën dhe aleancat”, shkroi Osmani të hënën.

Ajo theksoi se në zgjedhjet e 7 qershorit ka marrë pjesë me qëllim që “të ndihmoj në ringritjen e LDK-së dhe për t’i dhënë vendit mundësi te riktheje balancat demokratike e të krijojë institucionet sa më parë”.

Me 100 për qind të votave të numëruara – pa votat me kusht dhe të diasporës – LDK-ja ka dalë e treta me 17.59 për qind të votave.

Ky rezultat, Osmani thotë se “nuk është fundi i një gare”. “Është vazhdimi i një misioni. Një mision për t’i shërbyer Kosovës me përkushtim, me ndershmëri dhe me respekt për secilin qytetar, pa dallim”.

Kur janë numëruar 100 për qind e votave – pa përfshirë ato me kusht dhe të diasporës – Lëvizja Vetëvendosje është renditur partia e parë me 42.91 për qind të votave.

E dyta renditet Partia Demokratike e Kosovës me 21.12 për qind. E treta Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.58 për qind, ndërsa e katërta Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.16 për qind.