Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se me përmbylljen e procesit të numërimit të votave do të nisin bisedimet për hapat e ardhshëm drejt formimit të institucioneve të reja të vendit.
Konkretisht, ai është ndalur te zgjedhja e Presidentit/Presidentes. Si rrallë herë, edhe pa u numëruar plotësisht votat, ai ka thënë se ky proces duhet të bëhet në bashkëpunim me opozitën.
“Sa i përket zgjedhjes së Presidentit, përkatësisht Presidentes së re, ju e dini që këtë duhet ta bëjmë në bashkëpunim me opozitën”, tha Kurti.
Kurti theksoi se rezultatet e deritanishme konfirmojnë se Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve dhe se do të jetë bartëse e procesit të themelimit të institucioneve të legjislaturës së 11-të.
“Me rastin e përmbylljes së numërimit të votave, ne do të mund të fillojmë të bisedojmë për hapat e ardhshëm, por duhet ta keni parasysh se ajo që është evidente përsëri është se Lëvizja Vetëvendosje është fituese e padiskutueshme. Dhe ne do të jemi bartës të themelimit të institucioneve të legjislaturës së 11-të”, deklaroi Kurti.
Deklarata e tij vjen në kohën kur procesi i numërimit të votave po shkon drejt përfundimit dhe pritet certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.
Këtë deklarim ai e bëri në aktivitetin e tij si kryeministër në detyrë, gjatë homazheve te shtatorja e Zahir Pajazitit, me rastin e Ditës së Çlirimit të Kosovës.









