Në këmbim që Lidhja Demokratike e Kosovës ta votonte Vjosa Osmanin si Presidente në 2021-në, Partia Guxo nuk duhej të regjistrohej si subjekt politik deri pas zgjedhjeve lokale të 2021-së.

Kjo ka qenë marrëveshja në mes Osmanit dhe LDK-së në 2021-në, pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit të po atij viti, ku Osmani kishte garuar në listën e Vetëvendosjes, ndërsa LDK-ja kishte marrë rezultatin më të dobët në histori të saj, rreth 13 për qind.

Kështu të paktën tha Kryetari i Mitrovicës, njëherit bashkëkryetar i Partisë Guxo, Faton Peci, në emisionin D.P.T te Fidani që transmetohet në Klan Kosova.

“Për hir të opinionit edhe të korrektësisë duhet me e nda me juve një sekret publik që ka ndodhë. Sekreti publik ka qenë që pas përfundimit të zgjedhjeve të vitit 2021 ka pas një marrëveshje politike mes ish- presidentes edhe LDK-së që në zgjedhjet lokale të vitit 2021 partia GUXO të mos regjistrohet deri në atë faze”, tha Peci.

I pyetur nëse marrëveshja ka qenë në këmbim që LDK-ja ta votojë Osmanin, ai e pohoi një gjë të tillë. “Në shkëmbim të pjesëmarrjes së votës në Kuvend për zgjedhjen [e Osmanit] Presidente”, shtoi ai.

Peci tregoi se marrëveshja ishte negociuar në shtëpinë e Kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Do të thotë ka pas unë s’jam kanë pjesë e asaj marrëveshje, pjesë e asaj marrëveshje kanë qenë ish-Presidentja Vjosa Osmani, Donika Gërvalla në atë kohë si zëvendëskryeministre edhe marrëveshja është negociuar në shtëpinë e Lumir Abdixhikut në prezencën e Lutfi Hazirit”.

“Po, Presidentja ka qenë iniciatore po në ndërkohë do të thotë për shkak të pozicionit që asaj i është dashur e unë mendoj që është ba një marrëveshje politike dhe një kompromis që edhe unë në atë kohë kam thënë që është i dobishëm edhe duhet të realizohet edhe në këmbim të kësaj do të thotë GUXO nuk është regjistruar si parti politike deri në vitin 2022, por megjithatë ne mandej kemi qenë të bindur edhe të vendosur që të vazhdojmë me projektin politik”, deklaroi ai ndër të tjera.

Osmani ishte zgjedhur Presidente më 5 mars të vitit 2021. Ajo kishte arritur që ta marrë pozitën e të parës së shtetit vetëm pasi që LDK-ja e mbështeti, pasi që vetëm votat e VV-së nuk ishin të mjaftueshme.