Lëvizja Vetëvendosje, bashkë me Listën Serbe e kanë votuar Ligjin e ri për Shtetësinë, duke i hequr kriteret kryesore që derivonin nga një Rregullore e UNMIK-ut për të përcaktuar se kush mund të numërohet si banor i përhershëm i Kosovës në vitin 1998, derisa nuk i kanë zëvendësuar me kritere të reja fare. Kjo hap derën për serbët që të fitojnë shtetësi të Kosovës pa asnjë kriter të përcaktuar me ligj. Prandaj edhe u votua nga Lista Serbe.

Por, çfarë realisht ndodhi?

Me 3 prill të këtij viti befasisht vjen në Qeveri të Kosovës propozimi për miratimin e Ligjit të Ri për Shtetësinë.

“Ministria e Puinëve të Brendshme ka propozuar miratimin e Projektligjit për Shtetësinë e Republikës së Kosovës”, thoshte Kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Projektligjin para qeverisë e paraqiti Xhelal Sveçla.

“Përmes këtij projektligji, realizojmë premtimin e qeverisë për rikthimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës për diasporën tonë”, thoshte Sveçla.

Por, a ishte vërtetë për diasporën shqiptare të Kosovës?  

Dhe nëse ishte, përse Slavko Simiç në komision parlamentar i dha mbështetje ligjit, i interesonte atij diaspora shqiptare, apo kishte arsye të tjera?

“Dua të theksoj se ky Projektligj, i cili është miratuar nga Qeveria dhe i është proceduar Kuvendit, është shumë i rëndësishëm edhe për qytetarët e komunitetit serb… Gjithashtu, duke marrë parasysh edhe vendimin e marrë së fundmi me mbështetjen e Bashkimit Evropian, për t’u mundësuar qytetarëve të komunitetit serb lehtësime administrative që të pajisen më lehtë me dokumente, ky ligj është shumë i rëndësishëm dhe vjen në momentin e duhur”, thoshte Simiç.

Meqë Vetëvendosja e donte dhe Lista Serbe shprehu pajtim me projektligjin, u kërkua të votohet.

“Kërkohet që në parim ta votojmë e ta dërgojmë në seancë”, thoshte ish-deputeti i VV-së, Enver Dugolli.

U votua më pas edhe grupi punues për punimet përfundimtare rreth ligjit.

Ligji shkoi në Kuvend për votim.

“Ju ftoj që ta mbështesni këtë projektligj bashkë me amandamentin e propozuar nga Komisoni për çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes”, thoshte ish-deputeti i VV-së, Mefail Bajqinofci.

I befasishëm ishte edhe fakti se ligji për votim po vinte jo veç ngutshëm, por me procedura jashtëligjore.

“Është sjellë në Kuvend me procedura të përshpjetuara, pa respektuar as afatet ligjore”, thoshte ish-deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.

Por, Ligji i ri për Shtetësinë kaloi. U votua, ashtu siç pritej nga vetëm dy grupe parlamentare.

Vetëvendosja. Dhe Lista Serbe.

Por, përse i interesonte Listës Serbe miratimi i këtij ligji. Dhe çka kishte ndryshe nga ligji i vjetër për shtetësinë ky i riu që e solli Xhelal Sveçla?

Bëhet fjalë për një pikë qendrore të ligjit, të cilën Ligji i vitit 2013 e kishte, kurse në Ligjin e ri u fshi fare.

Pika 5 e Nenit 32 e Ligjit të Vjetër, atij të vitit 2013 thoshte se: Organi Kompetent, pra institucioni i shtetit të Kosovës, do të përdorë kriteret e parapara në Rregulloren e UNMIK-ut Nr. 2000/13 mbi Regjistrimin Civil për të përcaktuar vendbanimin në Republikën e Kosovës me 1 janar 1998.

Pra, shtetësia e Kosovës i takonte secilit që mund të dëshmonte se ishte banor i përhershëm i Kosovës me 1 janar të vitit 1998, por kriteret për ta përcaktuar se çka i binte të ishe banor i Kosovës në atë vit, caktoheshin nga Rregullorja e UNMIK-ut.

E cila, në Ligjin e ri të propozuar nga Sveçla, u zhduk.

Nuk gjendet askund në ligjin e ri.

Pra, hiqen kriteret kryesore për përcaktim se kush ishte banorë i përhershëm i Kosovës në vitin 1998, por nuk zëvendësohen fare me kritere të reja, duke e lënë krejtësisht interpretim të hapur se kush mund të konsiderohet banor i Kosovës në 98-në e rrjedhimisht ta fitojë shtetësinë.

Thuhet se ato do të përcaktohen me akte të tjera nënligjore të cilat do t’i nxjerr ministri në të ardhmen.

Akte të cilat Sveçla nuk i ka nxjerrur.

Por, çfarë kriteresh kërkoheshin me rregulloren e UNMIK-ut?

Ne seksionin 3 aty përcaktohej se për të dëshmuar se ke qenë banor i përhershëm i Kosovës në vitin 1998, me 1 janar, duhet të dëshmosh se je:

Person i lindur në Kosovë, ose person që ka të paktën njërin prind të lindur në Kosovë.

Person që mund ta dëshmosh se ke banuar në Kosovë për një periudhë të vazhdueshme prej së paku pesë vitesh.

Persona që, sipas vlerësimit të Regjistruesit Civil, je detyruar të largohesh nga Kosova, dhe për këtë arsye nuk ke mundur ta përmbushësh kërkesën e qëndrimit pesëvjeçar.

Ose, Fëmijë i personave që regjistrohen sipas kritereve më lart.

Të gjitha këto kritere janë larguar, nuk vlejnë më, për t’u zëvendësuar me çka?

Deri tani me asgjë.

Akoma nuk janë përcaktuar kritere të reja, të tjera, të cilat është lënë të bëhen me akte nënligjore nga Ministria e Punëve të Brendshme.

“Do të rregullohet më tutje me udhëzimet administrative për të cilat ne po punojmë edhe besoj që do të sqarohen shumë gjëra”, thoshte Sveçla.

Pra, aktualisht eksiton një ligj i ri për shtetësinë që nuk i ka kriteret e vjetra, por nuk ka as të reja.

Dhe një pyetje është tejet e rëndësishme këtu: Nëse Xhelal Sveçla është personi që do t’i hartojë kriteret e reja në udhëzimin administrativ të ri dhe tash është nën juridiksionin e tij, atëherë përse Lista Serbe nuk është e shqetësuar dhe madje e votoi ligjin e ri?

Sepse ligji i ri është bashkëpunim i qeverisë me Listën Serbe.

Nuk do të ishte bashkëpunimi i parë e me gjasë nuk do të jetë as i fundit.

Në publik kundërshtarë, por tinëzisht bashkëpunëtorë.