Besoj e keni dëgjuar Hajrullah Çekun që kur akuzohet për bllokimin që ia bëri Prishtinës duke stopuar secilin projekt me potencial transformimi për Kryeqytetin, ky argumenton: “Me tregoni çka kam blloku?”.
E mirë, që po të tregoj qartë e thjeshtë se si, në një formë që s’është parë ndonjëherë, keni bërë ndërhyrje brutale, flagrante, ligjore për ta ndaluar një projekt ekstremisht domethënës për njëmend transformim të një pjese të qytetit.
Bëhet fjalë për ndërtimin e nënkalimit në rrugën Agim Ramadani. Në këtë rrugë parashihej të ndërtohej një nënkalim i cili, jo veç që do ta transformonte si pamje këtë pjesë, por do ta zgjidhte një problem të madh të trafikut.
Këtu, në këtë nyje, shkaktohet një nga tollovitë e mëdha në trafik. Prandaj, projekti i nënkalimit do ta zgjidhte lehtësisht problemin.
Sheshi do të vazhdohej, e makinat do të kalonin poshtë, nëpër nënkalimin e ri. Ky projekt u prezantu nga Përparim Rama edhe në Facebook më 24 prill 2024. Mbani mend datat, se është e rëndësishme.
Në këtë zonë ka disa objekte që futen në kuadër të mbrojtjes si objekte të trashëgimisë kulturore, por sipas Rregullores të vitit 2022 për përcaktimin e perimetrit dhe zonës së mbrojtjes të aseteve të trashëgimisë kulturore dhe politikave për konservimin e zhvillimin e tyre, ndërtimi i një nënkalimi në këtë pjesë nuk paraqiste problem. Siç mund të shihet nga Rregullorja e vitit 2022, Neni 13, Pika 4, në këto lloj zonash janë të ndaluara ndërtimi i autostradave dhe rrugëve rajonale; ndërtimi i objekteve të larta dhe atyre që nuk janë në harmoni me ndërtesat ekzistuese; instalimet mbitokësore të furnizimit me energji elektrike, telekomunikacionit, transmetuesve digjitalë etj.; si dhe aktivitetet e ndërtimit që shkaktojnë shpyllëzim, asgjësim ose ndotje mjedisore, stacionet e reja të karburantit, ndërtimet industriale, fabrikat apo zhvillimet e ngjashme.
Gjithçka në rregull apo jo?
Nënkalimet nuk ndalohen, siç e patë.
Pra puna mund të fillojë.
Eh jo.
Sepse Hajrullah Çeku, pasi e sheh projektin e Përparim Ramës të publikuar në prill, çohet dhe me datën 17 tetor 2024 bën ndryshim të Rregullores, duke ia shtuar edhe një pikë. Tash, në Rregulloren e ndryshuar, në Nenin 31, përveç ndalesave që kishte Rregullorja, shtohet edhe një e fundit.
Vetëm edhe një.
E cila thotë: ndalohet edhe ndërtimi i nënstrukturave, pra i nënkalimeve të tilla si sistemi i kullimit, bodrumet e parkingjeve dhe strukturat ose shërbimet e thella nëntokësore te trashëgimia arkeologjike.
Marrë shkas nga kjo pikë, e shtuar si nga qielli, e shtuar nga Hajrulla Çeku, puna për nënkalimin bllokohet dhe zgjidhja e kësaj nyje nuk arrihet dot, sepse në këtë formë krejtësisht brutale Çeku vendos të lërë qytetarët e Prishtinës pa këtë projekt kaq të rëndësishëm vetëm me qëllim të pamundësimit të kundërshtarit të tij politik që të realizojë projektet e premtuara e planifikuara.
Ndaluni pak dhe mendojeni: përkundër gjithë betejave të ashpra politike në Kosovë, a keni parë ndonjëherë apo a keni dëgjuar ju ndonjëherë diçka të tillë?
Jo, sepse ky stil i shkeljes së ligjit përmes ligjit që ndryshon është zbulim i fundit nga zotëri Çeko.
Qysh tha edhe një herë ky: qe zotëri Çeko, të tregova, e bashkë me ty edhe krejt qytetarëve të Prishtinës që ti sot nuk turpërohesh e ua lyp votën.








