Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në një intervistë për VOX Kosova, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje qëllimisht po punon “për ta zhbërë shtetin e Kosovës”, ndërsa këtë parti e ka quajtur “sekt”.
“Duket sikur qëllimisht punojnë për ta zhbërë shtetin e Kosovës, për të krijuar diçka që ata e kanë në mend, pa marrë parasysh çfarë problemesh kjo shkakton për fëmijët tanë, për të ardhmen tonë dhe për vendin tonë. Janë një parti që unë nuk e quaj as parti, por një sekt, në fakt. Një sekt që ka një bindje, një ideologji ku nuk ka demokraci, është bardhë ose zi. Ose je me ta, ose je kundër tyre”, tha Rama.
“Kjo tregon qartë që kjo parti, këta njerëz, janë demagogë, janë gënjeshtarë. Janë njerëz që flasin gjëra të kota, që premtojnë e nuk i mbajnë premtimet, sepse premtojnë gjëra që nuk janë të vërteta, që nuk janë reale”, shtoi.
Ai ka theksuar se, përkundër faktit që kanë fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur ta formojë qeverinë e re.
“Kanë mundur të bashkëpunojnë me partitë e tjera. Mirëpo, mendoj që e kanë humbur besimin ndaj të gjithëve, sepse nuk janë njerëz që e mbajnë fjalën. Ose iu nënshtrohesh, ose je armik i tyre”, potencoi Rama.








