Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka shprehur shqetësim për zhvillimet politike në Kosovë dhe ndikimin e tyre në raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një intervistë për Kosovo Online, Hovenier vlerësoi se reputacioni i Kosovës në Uashington është dëmtuar ndjeshëm gjatë 16 muajve të fundit, duke përmendur krizën institucionale dhe vështirësitë në funksionalizimin e institucioneve si faktorë që kanë ndikuar në rënien e besimit.
Sipas tij, zgjedhjet e përsëritura, pamundësia për të zgjedhur presidentin dhe funksionimi me qeveri të përkohshme kanë ngritur pikëpyetje për aftësinë e Kosovës që të përmbushë obligimet e saj ndërkombëtare.
“Unë besoj se reputacioni i Kosovës në Uashington ka marrë një goditje serioze gjatë 16 muajve të fundit. E them këtë si dikush që ka investuar në marrëdhënien SHBA-Kosovë për vite me radhë dhe që e vlerëson shumë atë. Megjithatë, zgjedhjet e përsëritura, dështimi për të zgjedhur një president dhe mbështetja në qeveritë e përkohshme kanë gërryer besimin në aftësinë e Prishtinës për të përmbushur disa nga obligimet e saj. Uashingtoni punon më mirë me partnerë që janë të parashikueshëm dhe të aftë të përmbushin premtimet e tyre”, ka deklaruar Hovenier.
Ish-diplomati amerikan njihet për angazhimin e tij të vazhdueshëm në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së gjatë mandatit të tij në Prishtinë.
Hovenier ishte ambasadori i fundit fuqiplotë i SHBA-së në Kosovë. Ai e përfundoi mandatin në fund të dhjetorit 2024, kur edhe u pensionua nga shërbimi diplomatik.
Aktualisht, detyrën e të ngarkuarës me punë në Ambasadën Amerikane në Kosovë e ushtron Anu Prattipati, e cila më herët ka shërbyer si këshilltare për çështje politike dhe ekonomike në Ambasadën e SHBA-së në Hagë.









