Albin Kurti nuk po guxon ta thotë as një fjalë të vetme, për protestat e studentëve shqiptarë në Maqedoni të Veriut.
A nuk është e çuditshme që një person që u angazhua me intensitet e agresivitet në orientimin e shqiptarëve atje se për kë të votojnë dhe praktikisht sot është pjesë e pushtetit në Maqedoni të Veriut me Lëvizjen Vetëvendosje, tash nuk guxon të thotë një fjalë mbështetëse për protestat studentore që kërkojnë provomini e jurisprudencës ta kenë në gjuhën në të cilën studiojnë, pra shqip?
Kurti ka popullaritet mes shqiptarëve në Maqedoni të Veriut.
Prandaj edhe u bë pjesë e fushatës në zgjedhjet e fundit nacionale. Ndihmoi në largimin e Ali Ahmetit, ardhjen në pushtet të Vlen-it ku V, qëndron për Vetëvendosjen.
Iu premtoi shqiptarëve përfshirë edhe këtyre studentëve që po protestojnë sot, se me fuqinë e re politike të shqiptarëve, ata më në fund do ta ndjejnë barazinë e shumëpremtuar me maqedonasit.
Të intriguar nga fjalamani gojëmbël shqiptarët atje ia dhanë përkrahjen. Të cilit i braktisi saktësisht në momentin që kapi pushtet përmes asaj përkrahje.
Ai fillimisht befasoi të gjithë kur doli dhe e tha shqip, atë që thuhet vazhdimisht në Maqedonisht se…
Kjo është një rren e Albin Kurtit që e bën publikisht për t’ia bërë qejfin mikut të tij Hirsjan Micokski pra mikut të Aleksandër Vucic-it.
Sepse, ligji për përdorimin e gjuhëve Neni 1 e thotë qartësisht se “Në tërë territorin në Republikën e Maqedonisë gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe gjuhë tjetër që e flasin së paku 20 për qind e Qytetarëve gjuha shqipe. Pra gjuha shqipe.
Se është kështu e thoshte edhe vetë partneri kryesor politik i Kurtit në Maqedoni, Izet Mexhiti.
“Një arritje e madhe, një arritje e merituar! Gjuha Shqipe zyrtare! URIME!”, shkruante Mexhiti, i cili po ashtu sot s’bë zë.
Atëherë pse gënjen kështu Kurti? Pse flet një shqiptar me gjuhën e një nacionalisti maqedonas?
A ka mundësi që Albin Kurti thjesht s’dëshiron të përzihet në çështje të studentëve sepse si xhentëlmen dëshiron të mos përfshihet në zhvillime të brendshme të një shteti mik fqinj?
Jo.
Është po i njëjti Albin Kurti, që dikur jo që fliste e përmende por edhe i vizitonte studentët që protestonin në Shqipëri, për diçka shumë më të vogël, për kushte studimi e banimi.
Pra, si është e mundur që i përzihet Shqipërisë për çështje të cilësisë së ushqimit në menzë e nuk flet për diçka shumë më të rëndësishme siç është mundësimi i një studenti që t’i testohen aftësitë në gjuhën që studion për t’u aftësuar?
Është sepse Albin Kurti kurrë nuk ka qenë i interesuar për gjendjen e studentëve as në Shqipëri as në Maqedoni të Veriut, siç s’është i interesuar as për gjendjen e studentëve në Kosovë.
Lufta e tij politike në Maqedoni nuk ishte se pati kasavetin e shqiptarëve atje, por donte largimin e Ali Ahmetit nga pushteti, i cili kishte mbetur si i vetmi zgjatim i UÇK-së me pushtet faktik në të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarë.
Beteja e vërtetë e tij ishte, është dhe do të jetë kjo.
Ky është paterni i rrugëtimit të tij politik.
Përçaj shqiptarë dhe nënshtroju shovinizmit serb e maqedonas.
E gjithë këtë bëje me kostum patrioti sepse ndryshe s’hahet karremi.








