Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka kërkuar normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Këtë, Macron e ka thënë në letrën e tij për urimit që ia ka dërguar Justina Shiroka-Pulës për zgjedhjen e saj Presidente e Kosovës.
Derisa ka folur për rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Macron ka theksuar se Marrëveshja e Brukselit/Ohrit ka përcaktuar drejtimin për këtë çështje.
“Dëshiroj të rikujtoj rëndësinë thelbësore të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit kanë përcaktuar drejtimin, ndërsa Franca do të vazhdojë ta mbështesë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, ka shkruar Macron.
Presidenti francez ka potencuar se të dyja palëve “u takon t’i zbatojnë zotimet e marra”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ish-Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me ndërmjetësimin amerikano-evropian, kishin arritur Marrëveshjen Bazike për normalizimin e marrëdhënieve në Bruksel më 27 shkurt 2023, dhe më pas për Aneksin e zbatimit në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars 2018.
Ujdia mes dy vendeve fqinje përmbante 11 nene, përmes të cilave Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian konsideronin se kanë gjetur zgjidhjen.
Pos tjerash, Kosova kishte pranuar zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të mëparshme, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ishte pajtuar edhe për një status special për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë.
Serbia në anën tjetër ishte pajtuar që të mos e pengonte anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Si tërësi, kishte pranuar njëfarë njohje de-facto të shtetësisë së Kosovës.
Por, kur kanë kaluar më shumë se tri vjet nga kjo marrëveshje, zbatimi i saj nuk duket gjëkundi, përkundër thirrjeve të vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare.









