Një amerikan, që ka qenë ambasador në Maqedoni dhe i dërguar special i SHBA-ve gjatë luftës në Kosovë, Christopher Hill – i cili është takuar disa herë me UÇK-në në male – do të jetë dëshmitari i radhës në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku sot rifillojnë seancat e planifikuara për rastin Thaçi dhe të tjerët.

Dëshmia e Hill do të nisë sot në orën 14:00 dhe do të zgjasë deri në orën 17:00.
Ai ka qenë i përfshirë aktivisht gjatë luftës në Kosovë në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje paqeje dhe ka marrë pjesë në bisedimet e Rambujesë.

Hill njihet si një prej zërave më autentikë për UÇK-në.
Para tij, në anën e mbrojtjes kanë dëshmuar James Rubin, Paul Williams, John Duncan dhe Jock Covey.

Dëshmitë e mbrojtjes – që shënojnë edhe fundin e seancave – do të mbyllen me paraqitjen e ish-komandantit të NATO-s, Wesley Clark.