Fatos Nano, ish-kryeministër i Shqipërisë, është ndarë nga jeta në moshën 73 vjeçare.
Ish-kryetari i socialistëve prej kohësh ndodhej në gjendje kritike shëndetësore në një prej spitaleve private të Shqipërisë, ku mbahej në kujdes të doktorëve.
Nano ka pasur një sulm në zemër e më parë ishte trajtuar edhe për probleme respiratorë.
Fatos Nano ishte një nga politikanët më të rëndësishëm të Shqipërisë post-komuniste, duke rrugëtuar në një karrierë me largime e kthime të furishme në politikë.
Ai ka lindur më 16 shtator 1952 në Tiranë. Diplomoi për ekonomi politike në vitin 1974, ndërsa u bë pjesë e zhvillimeve politike që ndodhën në Shqipërinë e tranzicionit.
Nano u ngjit shumë shpejtë në detyrë. Në vitin 1991, Ramiz Alia ia besoi Nanos postin e kryeministrit me misionin e vetëm: tranzicionin e vendit drejt demokracisë.
Ai mbajti postin e kryeministrit edhe për disa javë pas zgjedhjeve të marsit 1991, pasi dha dorëheqje për shkak të grevave që kishin shpërthyer nëpër krejt vendit.
Ardhja e demokratëve në pushtet në vitin 1992, solli një periudhë të vështirë për Fatos Nanon.
Më 30 korrik 1993, Nano u arrestua në zyrën e Prokurorit dhe u akuzua për “shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare në lidhje me ndihmën italiane” dhe 9 muaj më vonë u dënua me 12 vite burg.
Megjithatë trazirat e vitit 1997 sollën lirimin e tij nga burgu dhe rikthimin aty ku të gjithë socialistët e donin: në krye të PS-së. Tre muaj pasi kishte dalë nga burgu ai udhëhoqi socialistët drejt rikthimit në pushtet, të cilin socialistët e mbajtën për 8 vite, por Fatos Nano pati sërish ulje-ngritjet e tij politike.
Meritë e Nanos, e pranuar edhe nga kritikët, ishte rikthimi i normalitet në vendin e shkatërruar ekonomikisht si pasojë e firmave piramidale.
E megjithatë postin e kryeministrit e mbajti për një vit, kur vendosi të jepte dorëheqjen në 28 shtator 1998, pak më shumë se dy javë pas vrasjes së Azem Hajdarit.
U largua nga Qeveria, por vijoi të mbante kontrollin e partisë, pavarësisht dallgëve që shoqëruan socialistët në 8 vite.
U rikthye edhe njëherë tjetër kryeministër në 31 korrik 2002 deri në humbjen e zgjedhjeve në qershor 2005, kur u detyrua t’i linte pushtetin kundërshtarit të tij, Sali Berisha.
Prej atij viti ditët i jetonte mes Vjenës ku qëndronte me familjen dhe Tiranës ku vinte sa herë diskutohej se kush do të ishte Presidenti i ri i vendit.
Dëshira e tij për t’u bërë kreu i shtetit nuk iu plotësua as në vitin 2007 kur vendin ia mori Bamir Topi dhe as në vitin 2012 kur Berisha megjithëse e afroi, në fund zgjodhi të ndjerin Bujar Nishani.
Jeta e tij familjare ka qenë e trazuar po aq sa ajo politike. Fillimisht konsumoi një martesë 25 vjeçare me Rexhina Nanon, me të cilën ka dy fëmijë, Sokolin dhe Edlirën.
Në vitin 2002, pak muaj pas divorcit ai njoftoi martesën me Xhoanën.
I konsideruar si figurë liberale brenda të majtës shqiptare ai e shndërroi PS-në nga një parti bolshevike në një formacion të së majtës progresive.
E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, Fatos Nano ishte i vetmi nga politikanët e tranzicionit që ka dhënë dorëheqjen nga politika për të mos u kthyer më, pas humbjes së zgjedhjeve në 2005.









