Zyrës së Kryeministrit nuk duket se i mjaftojnë automjetet që ka aktualisht në dispozicion. Institucioni i udhëhequr nga Albin Kurti ka dhënë një tender për marrjen me qira të dy xhipave të rinj, me vlerë 58 mijë e 968 euro.

Kontrata është dhënë më 2 korrik 2026 dhe parasheh që dy automjetet të merren me qira për një periudhë prej 36 muajsh.

Dokumentet e tenderit tregojnë se vlera e parashikuar e kontratës ishte 65 mijë euro, ndërsa fituese është shpallur kompania që ka ofertuar me çmimin prej 58,968 euro.

Sipas specifikimeve teknike të tenderit, automjetet që do të merren me qira janë të kategorisë SUV, pra xhipa.

Albin Kurti, sa ishte në opozitë, kishte kritikuar vazhdimisht përdorimin e “xhipave të zinj” nga zyrtarët shtetërorë. Megjithatë, gjatë qeverisjes së tij, Zyra e Kryeministrit ka vazhduar të pajiset me automjete të tilla, ndërsa tani ka siguruar edhe dy xhipa të rinj me qira për nevojat e institucionit.