Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka reaguar ashpër ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pasi ky i fundit deklaroi se Lushtaku kishte grushtuar zëvendësministrin Hysni Mehani dhe kishte ndikuar në fshirjen e pamjeve të kamerave të sigurisë.

Po ashtu Sveçla në Debat Plus referuar kreut të Skenderajt tha: “…ai nuk është burrë, në polici nuk e ka pranuar fajin, po të ishte burrë do ta pranonte”.

Përmes një postimi publik, Lushtaku e quajti Sveçlën “dezertor të luftës” dhe tha se ai nuk mund të flasë për burrëri.

“Si dezertori i luftës që je, nuk mund të flasësh për burrëri. Ka qenë koha për secilin prej nesh për të treguar burrëri gjatë asaj periudhe. Fatkeqësisht, ti zgjodhe të ikësh”, shkroi Lushtaku.

Ai akuzoi gjithashtu Sveçlën se, në cilësinë e ministrit, ka keqpërdorur Policinë e Kosovës dhe njësitë speciale për qëllime politike, duke iu referuar ngjarjeve të 14 majit në Skenderaj.

“Si ministër që je, e ke keqpërdorur Policinë e Kosovës dhe njësinë speciale të saj përmes urdhrave politikë nga shefi yt për shtetrrethimin e Skenderajt mbrëmjen e 14 majit”, thuhet në reagimin e tij.

Në fund të postimit, Lushtaku deklaroi se “kanë ikur ata që kanë bërë shtetrrethime në Kosovë e shpejt do të ikësh edhe ti”.

Reagimi vjen pasi Sveçla e akuzoi Lushtakun për sulm fizik ndaj zëvendësministrit Mehani dhe për ndërhyrje në fshirjen e pamjeve të kamerave që lidhen me incidentin. Deri më tani, nuk ka pasur ndonjë reagim shtesë nga institucionet lidhur me këto pretendime.